“Dështimi i radhës për kapje të shtetit”. Kështu e ka definuar Lidhja Demokratike e Kosovës vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta hedhur poshtë Ligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Në reagimin e LDK-së, thuhet se Kushtetuesja i pranoi vërejtjet e partisë se ky ligj ishte kundërkushtetues, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), se ligji në fjalë në pjesën materiale të saj është kundër kushtetues, rrjedhimisht ai duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”, thuhet në reagim.
“Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë”.
Pas këtij vendimi, LDK ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ministres Albulena Haxhiu, “si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë”, vazhdon komunikata.
Në një komunikatë për media, Kushtetuesja ka bërë me dije se është konstatuar që pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe nenit 8 nuk janë në përputhje me Kushtetutën, konkretisht, me paragrafin 1 ku flitet për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushteteve. /Reporteri.net/.
U evidentuan shkelje të Kushtetutës, Gjykata ia rrëzon Qeverisë ligjin për KPK-në
<p>The post Pas vendimit të Kushtetueses, LDK kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Albulena Haxhiut first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>