Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në seancën solemne të 25 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, ka thënë se 25 vjet më parë në Prekaz, familja Jashari po e mbronte pragun e shtëpisë.
“Siç thoshte edhe Rugova, Adem Jashari dhe familja e tij po e mbronin pragun e shtëpisë. Një popull që e do lirinë, do ta fitonte atë një ditë. Thirrja e familjes Jashari kumbon edhe sot. Na vjen si thirrje për ribashkim të brendshëm dhe atdhedashuri”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se qëllimi i shuarjes së familjes Jashari ishte qëllimi i shuarjes së vetë popullit të Kosovës.
“Sot në përvjetorin e 25-të kujtojmë të gjithë të rënët për liri. I nderuari baca Rifat Jashari sot në Prekaz më tha se dhimbjen e kemi kapërcyer. Por, qëllimi i shuarjes i trungut tuaj familjar një çerek shekulli më parë, ishte qëllimi i shuarjes së vetë popullit të Kosovës”, ka shtuar Abdixhiku.
Ai ndër të tjera ka theksuar se qëndresa e familjes Jashari ishte rilindje kombëtare.
“Qëndresa juaj atëherë ishte rilindja jonë kombëtare. Rilindja juaj sot si familje me breza të rinj, është qëndresë e jona që na mban në rrugën përpara”, ka thënë Abdixhiku.
<p>The post Abdixhiku: 25 vjet më parë në Prekaz, familja Jashari po e mbronte pragun e shtëpisë first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>