Wolfgang Petritsch, ish-Emisari Special i Bashkimit Evropian në bisedimet për Statusin e Kosovës ka vlerësuar se Serbia mund të bëjë kthesë në raport me Kosovën, andaj edhe Kosova duhet të përmbush obligimet e saj.
“Po përgatitet një hap që është shumë i vështirë për palën serbe”, ka vlerësuar ai, derisa tha se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka të qartë se duhet të veprojë për të arritur marrëveshje.
Petritsch është madje edhe mirëbesues se me shfaqjen në skenë të plani franko-gjerman, gjërat mund të lëvizin drejt një marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Edhe njëherë, doli se progres mund të ketë vetëm atëherë kur evropianët dhe amerikanët tërheqin të njëjtin litar”, ka thënë Wolfang Petritsch për agjencinë e lajmeve APA.
Petritsch vlerëson se Kosova duhet të çojë para implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në lidhje me atë se ku dallon çështja e Kosovës në një zgjidhje gjermano-gjermane, ai tha se asokohe të Dy Gjermanitë ishin anëtarësuar në OKB, gjë që për Kosovën, në kontekstin aktual, nuk është e mundur.
Në lidhje me pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës në BE, Petritsch tha se kjo është dobësi e unionit evropian.
“Si mund t’i kërkohet Beogradit ta njohë Kosovën, kur pesë shtete të BE’së ende s’e kanë bërë këtë. Diçka këtu duhet të lëvizë”, tha mes tjerash Petritsch.
<p>The post Petritsch për planin franko-gjerman: Po përgatiten hapa që për Serbinë do të jenë të vështira first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>