Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gjatë ditës së djeshme i bëri thirrje Kosovës që të pranojë propozimin evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kjo u bë në një telefonatë që ai zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Kryeministri Kurti deri më tani nuk ka dhënë detaje rreth kësaj telefonate që dje ka pasur me zyrtarin e lartë amerikan, shkruan Reporteri.net.
Po ashtu në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti nuk tha asgjë për çështjen e dialogut me Serbinë, përkundër presionit të shtuar së fundi për pranimin e planit franko-gjerman dhe themelimin e Asociacionit.
Në një postim në rrjetin Twitter, Chollet mbrëmë tha se bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe diskutoi “për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës ta pranojë atë. Një çështje thelbësore ishte bashkëpunimi ynë dhe synimi i përbashkët në avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”, shkroi ai.
“Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë e karakterit shumetnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në kontekstin e dialogut dhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës të kthehen në vendet e tyre të punës”, shtoi zoti Chollet.
We also discussed the importance of Kosovo’s multiethnic character and moving forward with discussions of the Association of Serb Majority Municipalities in the context of the Dialogue, and the need for Kosovan Serb officials to return to their posts. https://t.co/6MlQgtDBaJ
— Derek Chollet (@CounselorDOS) January 24, 2023
Kur është fjala për propozimin/planin e Bashkimit Evropian për dialogun, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tashmë ka thënë se Serbia është e gatshme ta pranojë konceptin dhe është duke punuar në zbatimin e asaj marrëveshjeje.
Nga ana tjetër, diplomatët perëndimorë që kanë vizituar së fundmi Prishtinën dhe Beogradin, kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç e kanë formuluar ata, mirëkuptim më të madh për këtë propozim.
Ambasada amerikane në Prishtinë gjatë ditës së djeshme ka konfirmuar se më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, u tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë. /Reporteri.net/
<p>The post Thirrja e ShBA-së që ta pranojë propozimin e BE-së, Kurti ende asnjë detaj për bisedën me Cholletin first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>