Juristi kosovar, Albert Krasniqi ka thënë se shyterja e zgjedhjeve në veri nga ana e presidentes Osmani nuk është në harmoni me Kushtetutën.
Sipas Krasniqit, presidentja nuk ka kompetencë të shtyjë zgjedhjet e shpallura me një vendim, pavarësisht pëlqimit që ka marrë nga partitë politike.
“Presidentja nuk ka kompetencë të shtyjë zgjedhjet e shpallura me një vendim, pavarësisht pëlqimit që ka marrë nga partitë politike. Për të qenë në harmoni me Kushtetutën, më së lehti ka qenë që Presidentja të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme të këto katër komuna, pasi ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike; dhe pastaj të merret pëlqimi i Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë; ose të krijohet një bazë e përkohshme ligjore që mundëson shtyrjen e zgjedhjeve”, shkruan ndër të tjera ai.
Postimi i plotë:
Shpallja e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit ka qenë gabim qysh në fillim!
Përtej pamundësisë për të ofruar siguri për akterët në zgjedhje, kontestuese do të ishte edhe legjitimiteti i institucioneve të dala nga një proces i tillë zgjedhor.
Përgjatë kësaj kohe, Presidenca dhe Qeveria u sollën sikur gjoja mbajtja e zgjedhjeve në veri është një proces i thjeshtë teknik me të cilin duhet të merret KQZ-ja.
Shtyrja e zgjedhjeve është veprim i arsyeshëm, por që shpërfaqë naivitet dhe dobësi të institucioneve. E para, pasi nuk ishin të aftë të vlerësojnë drejtë situatën në teren; dhe e dyta, pasi nuk qenë në gjendje t’i qëndrojnë prapa vendimit të tyre.
Përkundër këtyre, shtyrja e datë së zgjedhjeve të shpallura, nuk është as në harmoni me Kushtetutën. Presidentja nuk ka kompetencë të shtyjë zgjedhjet e shpallura me një vendim, pavarësisht pëlqimit që ka marrë nga partitë politike. Për të qenë në harmoni me Kushtetutën, më së lehti ka qenë që Presidentja të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme të këto katër komuna, pasi ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike; dhe pastaj të merret pëlqimi i Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë; ose të krijohet një bazë e përkohshme ligjore që mundëson shtyrjen e zgjedhjeve.
Në këtë vend ka ligje dhe institucione të cilat duhet të respektohen pavarësisht situatës. Kështu krijohen precedent të rrezikshëm që mund të abuzohet në të ardhmen.
<p>The post Juristi kosovar: Shtyrja e zgjedhjeve s’është në harmoni me Kushtetutën, presidentja s’ka kompetencë për këtë first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>