Përkundër se disa herë ishte “zëdhënësi” i refuzimit të planit franko-gjerman, kryediplomati serb, Ivica Daçiç, tha se Serbia nuk e ka refuzuar atë. Duke folur për BBC-në në edicionin serb, ai tha se “as nuk e kemi pranuar as refuzuar”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Daçiç tha se kanë artikuluar “vetëm çfarë është e pranueshme e çfarë jo” derisa shtoi se do të vazhdojnë diskutimit për planin, tashmë edhe të përditësuar nga Bashkimi Evropian.
Por, sipas tij, Serbia i ka vijat e kuqe në lidhje me planin e hartuar nga BE, të mbështetur nga ShBA, Gjermani e Franca.
“Nuk mund të flasim për marrëveshje të reja pa i respektuar ato të nënshkruar më herët, siç është Asociacioni i Komunave Serbe. E papranueshme është që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, derisa vija e tretë e kuqe është siguria fizike e serbëve në Kosovë”, ka thënë Ivica Daçiç.
Më tej, Daçiç përsëriti mantrën e tij të zakonshme se për sa kohë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është në pushtet “do të ketë vetëm shuarje zjarresh” e jo trajtim të përgjithshëm të dokumentit për normalizim të marrëdhënieve, shkruan Reporteri.net.
“Jam i sigurt se për sa kohë Kurti është në atë pozitë, negociatorët nuk do të merren me dokumentin e përgjithshëm por me shuarje zjarresh”.
“Dhe do të ishte mirë që të shuhet zjarri më i madh, sepse zjarrvënësi më i madh është Kurti”, ka thënë Daçiç./Reporteri.net/
<p>The post Daçiç “nuk beson” të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi: “Për sa kohë Kurti është aty, jo” first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>