Kalimit të Iniciativës për lejimin e tërheqjes së deri në 30% të mjeteve të Trust-it në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Transfer i është gëzuar deputeti i Partisë Demokratike, Mëgim Lushtaku, i cili u shpreh se tash duhet “të reflektojnë” deputetët e shumicës parlamentare kur të rikthehet iniciativa në Kuvend.
“Iniciativa për Tërheqjen e 30% të Trustit mori dritën jeshile në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere. Tani, është rradha e deputetëve që të reflektojnë karshi krizës ekonomike që po mbretëron dhe t’iu dalin në ndihmë qytetarëve duke votuar pro në Kuvend. Urime!”, shkroi Lushtaku.
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere e kanë përkrahur Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, shkruan Reporteri.net.
Nga nëntë vota, katër ishin për, tri kundër dhe dy abstenime.
Pasi mori përkrahjen e Komisionit ky Projektligj shkon në seancë për votim.
Për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti është protestuar disa herë në Prishtinë, me kërkesën që qytetarëve t’u lejohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti.
Më 23 qershor, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional.
Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm një abstenim projektligji për Trustin nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në lexim të parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Për këtë temë u zhvillua debat i gjerë, me akuza e kundërakuza në mes të përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.
Pozita është shprehur kategorikisht kundër lejimit të tërheqjes së mjeteve nga Trusti. /Reporteri.net/
<p>The post Lushtaku gëzohet dhe uron qytetarët që iniciativa për Trust-in kaloi në Komision, kërkon që deputetët e shumicës “të reflektojnë” first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>