Autor: Linda Ibrahimaj
Logopedi nga Gjilani, Iljasa Fazliu i cili dyshohet se ka keqtrajtuar një 3-vjeçare në ordinancën e tij, tashmë është dërguar nga spitali në paraburgim, për t’iu nënshtruar masës prej 30 ditësh e cila iu caktua javën e kaluar nga Gjykata Themelore në Gjilan.
Lajmi u konfirmua për Gazetën Online Reporteri.net nga Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, i cili tha se logopedi Iljasa Fazliu sot është liruar, dhe më pas dërguar në paraburgim.
“Pasi gjendja e tij është përmirësuar, personi në fjalë ditën e sotme është liruar dhe është dërguar në paraburgim nga policia”, tha Emini.
Fazliu qëndroi i shtrirë në Spitalin e Gjilanit pasi pati shfaqur shqetësime me tension të ngritur të gjakut si dhe hiperglikemi, gjë kjo e konfirmuar nga drejtori i këtij institucioni, Arsim Emini.
“Pacienti është pranuar pardje nga mjeku kujdestar i repartit internistik për shkak të shqetësimeve me tension të ngritur të gjakut dhe me hiperglikemi( sheqer i rritur në gjak). S’është duke u trajtuar për lëndime trupore fizike por për shkak të problemeve të tjera internistike. Gjendja e tij është stabile, por po vazhdohet trajtimi në spital nga mjekët e repartit të internes”, pati thënë Emini për Gazetën Online Reporteri.net.
Më 28 nëntor, përveç logopedit nga Gjilani, Gjykata Themlore ua caktoi masën prej 30 ditësh paraburgim edhe dy familjarëve të 3-vjeçares të cilët e kishin sulmuar Iljasa Fazliun në njërën nga kafenetë në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan.
“Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të mbrojturit tonë dhe babait te vajzës së keqtrajtuar nga Logopedi Iljasa Fazliu, e njëkohësisht e ka caktuar masën e paraburgimit edhe ndaj të dyshuarit të parë- Logopedit. Me anën e këtij vendimi janë barazuar veprimet e ndërmarra nga prindi i vajzës 3 vjeçare dhe i dajës së saj me veprimet ç’njerëzore të të ashtuquajturit “LOGOPED”, i cili është dashur që ta trajtojë në mënyrë profesionale vogëlushen e pafajshme. Brenda afatit ligjor do të ushtrojmë ankesë dhe shpresojmë qe Gjykata e Apelit do ta trajtojë rastin në mënyre objektive. Me respekt Avokatura SPAHIU” – shkroi ai në Facebook.
Në deklaratën e dhënë para gjykatësve, Fazliu ka thënë se fëmijën në fjalë nuk e dëmton asgjë sjellja e tij sepse e njëjta ende nuk është diagnostikuar plotësisht me autizëm.
“I pandehuri Iljasa Fazliu ka deklaruar se e mbështet deklarimin e mbrojtësit të tij duke shtuar se i njëjti është ekspert i kësaj lëmie dhe 24 vite përvojë punë, ku ka trajtuar mbi 10 mijë raste të tilla dhe sa i përket rastit konkret i njëjti ka ndodhur si një lëshim i momentit dhe fëmijën nuk e dëmton asgjë sepse e njëjta ende nuk është diagnostifikuar plotësisht me autizëm dhe e kuptoj ndjeshmërinë e prindit dhe atë thellësisht”, thuhet në dosjen e gjykatës të ketë deklaruar i dyshuari.
Të dielën e 27 nëntorit, në media u publikua audio-incizimi ku logopedi nga Gjilani dëgjohet duke keqtrajtuar një vajzë tre vjeçare.
Në media u raportua se Iljasa Fazliu nuk është anëtar i Odës së Infermierëve të Kosovës dhe nuk ka fare licencë të punës si logoped nga kjo organizatë.
“Është përgjegjësi e institucioneve që të mos mbajnë profesionistë shëndetësorë të pa licencuar në institucionet e tyre”, u tha ndër të tjera në reagim.
Në anën tjetër, Fazliu në shtator të këtij viti ishte emëruar si u.d shefit të Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë në QKUK./Reporteri.net/
<p>The post Logopedi që dyshohet se keqtrajtoi 3-vjeçaren dërgohet në paraburgim, deri tani ishte në spital first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>