3.8 C
New York
E martë, 7 Shkurt, 2023

Buy now

Gorani për dialogun Kosovë-Serbi: Kurti do të ulë kokën dhe të pranojë atë që i ofrohet, sikurse në farsën me targat

Autor: Xhezair Dashi


Një nëntor politikisht i rrëmujshëm që Kosovën e gjeti në konfrontim me aleatët parësor ndërkombëtarë të saj.

Krejt kjo mbi çështje të shtrirjes së sovranitetit në trafikun verior, që për reperkusion pati tërheqjen e komunitetit serb të asaj zone nga institucionet e vendit.

Një propozim-kompromis i Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Josep Borrell, nxeu edhe më tej pasionet sovraniste, për t’u ftohur vetëm dy ditë më pas në pranimin e po të njëjtës.

Megjithatë, kjo periudhë dy ditore, kumboi në animozitete karshi BE’së.

Amplifikatori i kësaj, ishte vetë kryeministri kosovar, Albin Kurti, ku në një numër rastesh, shkarkoi mosdurim të thellë ndaj kryediplomatit evropian.

Por, ky i fundit, bëri një kthesë të momentit të fundit kah ShBA’ja. U dorëhoq nga zbatimi i fazshëm i shtrirjes së këtij segmenti të sovranitetit.

Qeveria dhe Presidenca, u kujdesën që ShBA’së t’ia atribuonin meritën për atë që ishte arritur.

“Është pabesueshëm naive kjo qasje ‘SHBA Vs. BE’ në kontekstin e procesit politik Kosovë-Serbi, saqë nuk meriton ndonjë përgjigje serioze”.

Kështu thotë njohësi i çështjeve politike dhe gazetari Dukagjin Gorani, në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net.

Skajshëm primitive, e quan Gorani, “logjikën që prodhon një interpretim të tillë të politikës ndërkombëtare”.

“Tek ne, përthjeshtësimi-deri-në-absurditet është qëmoti normë e interpretimit të situatës politike, qoftë të brendshme apo të jashtme”.

Qeverinë aktuale të Kosovës, Dukagjin Gorani, e sheh si “variantin më ekstrem të kësaj norme intepretimi të filluar dekada më herët”.

“Sot, çdo zhvillim interpretohet përmes banalitetit të tifozerisë partiake – ‘BE është armiqësore’, ‘SHBA janë partnere’, ‘Tirana është kundër Prishtinës’, etj”.

“Botëvështrimi i tillë sot është standard mbizotërues në Kosovë dhe e dominon logjikën politike duke shpjeguar çdo zhvillim shoqëror vetëm nga kuti i konfliktit dhe konfrontimit”.

ShBA kujdeset çdoherë të theksojë se Dialogu i Fascilituar nga BE e ka plotësisht mbështetjen e tyre.

Njëjtë mendon edhe Dukagjin Gorani, i cili thotë se “thënë më së buti, është qesharake të mendohet se ekzistojnë dallime mes qëndrimeve të Washingtonit dhe BE-së në raport me procesin politik Kosovë-Serbi”.

“Nuk jemi aq të rëndësishëm”, thotë ai.

Shpjegimet e kryeministrit, të një diferencimi mes BE’së dhe ShBA’së, Gorani i quan “banalitete e assesi fakte”.

“Janë përpjekje për manipulim të opinionit pas turpërimit të panevojshëm gjatë farsës me targat e cila përshkallëzoi befasisht dhe kërcënoi ta rrezikojë edhe sigurinë rajonale”.

Qasja e pandryshueshmërisë së qëndrimit karshi vendimit për targat, që kryeministri e mbajti për pothuajse katër javë, për Goranin rezultoi në kuptimin që nuk kanë fuqi imponuese në procesin e dialogut. Dhe me të kuptuar këtë, thotë ai, kryeministi u detyrua të pranojë të gjitha kushtet e vendosura, të refuzuara të hënën e të pranuara të mërkuren.

“Qeveria e Kosovës deshti ta aktrojë palën refuzuese me qëllim të imponimit, por shpejt u detyrua t’i pranojë të gjitha kushtet me ta kuptuar se nuk e ka as më të voglën fuqi imponuese në proces. Kjo situatë u pa si poshtëruese për Qeverinë e Kosovës, për Kurtin, por edhe për mbarë vendin, andaj sot shpërndahen këso arsyetime absurde për t’i dhënë kuptim fiaskos negociatore”.

Sa i përket tregimeve se ishin ShBA ata që “krenë punë” ndaj “BE’së së një anshme”, Dukagjin Gorani këto i sheh për “përalla”.

“Prodhohen tregime mbi intervenimin shpëtimtar amerikan kundër evropianëve armiqësorë. Përralla”.

Beteja ndaj Borrellit “të njëanshëm”

Me të dalë nga takimi trilateral në Bruksel të hënën, kryeministri nuk u kursye në kritika ndaj Përfaqësuesit të Lartë të BE’së.

Përveç deklarimeve se “hoqi dorë nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve” të kornizuar simbas planit evropian, ndryshe të njohur si plani franko-gjerman, Kurti edhe e vëri në dyshim origjinën e këtij propozimi. Kjo, ngase sipas tij, “po të kishte qenë plan evropian, nuk do të kishin hequr dorë kaq lehtë”.

Borrell u interpretua jo si ndërmjetës, por si anues në palën tjetër. Jo pak u theksua edhe përkatësia kombëtare e tij spanjolle, që, supozivisht, duhet të përkthehet në fakt të kryer si i anshëm kah pala serbe.

“Sërish, edhe këtu bëhet fjalë për akrobacione semantike që synojnë krijimin e një argumenti të paqenë”, thotë Dukagjin Gurani për Reporteri.net.

“Gjatë viteve, kam dëgjuar me qindra dokrra të ngjashme: ‘Borrell është spanjoll dhe është kundër shtetësisë sonë’, ‘Lajçak është sllovak dhe nuk i don kosovarët’, ‘Gabriel Escobar është dhëndërr i serbëve’, ‘Federica Mogherini është komuniste e lidhur me Rusinë’, ‘Catherine Ashton ishte përkrahëse e Thaçit’, etj”.

Marrëzi, i quan Gorani, të cilat “nuk po kanë fund, tash e një çerek shekulli”.

Rreth asaj se është plan franko-gjerman apo është plan evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, ky draft-propozim “po i nënshtrohet procesit të njëjtë të deluzioneve kuptimore ‘Ali-hoxha, hoxhë-Alia’”, thotë analisti.

“Sërish, nuk ia vlen të analizohet përmbajtja infantile e argumenteve, por vetëm shkaqet që dërgojnë në formulim të absurditeteve të tilla e që, mes tjerash, dëmtojnë rëndë statusin profesional dhe profilin personal të udhëheqjes sonë shtetërore”.

Për planin franko-gjerman, i cili është bërë edhe fantom për të cilën të gjithë flasin e askush s’e ka parë, edhe Gorani shprehet i indinjuar.

“Përndryshe, ky konfidencialiteti i shpifur rreth ‘draftit franko-gjerman’ përbën farsën e radhës, e që është sa ofenduese për opinionin publik për shkak të jo-transparencës, aq edhe argëtuese për mediat lokale për shkak të hapësirës së pafundme për spekulime”, thotë Dukagjin Gorani.

“Kurti dhe Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojnë seriozitetin e mandateve të tyre dhe të mos sillen fëmijërisht karshi përpjekjeve ndërkombëtare”.

“Në çarshinë politike, drafti ‘franko-gjerman’ tashmë ka statusin e ‘sekretit publik’ për fajin e Kurtit dhe të qeverisë së tij – e cila heshtë aty ku duhet të flasë dhe e hapë gojën aty ku s’duhet. Sot, ai draft mbetet konfidencial vetëm për qytetarin e rëndomtë dhe militantin partiak: përndryshe, përmbajtjen e tij tashmë e dijnë të gjithë liderët politikë, të gjitha ambasadat, e qebesa, edhe shumica e mediave dhe gazetarëve lokalë”.

Për vënien në pikëpyetje të origjinatorit të draftit, si jo evropian por franko-gjerman, si dhe cilësimet denigruese ndaj zyrtarëve ndërkombëtar, për Goranin tregojnë “fshehjen e paaftësisë politike negocuese nga ana e Kurtit dhe qeverisë aktuale”.

“Janë pasojë e hendekut të papajtueshëm që vet e krijuan, mes pritjeve vendore për ta dhe aftësive reale që kanë”.

Shumë më “të thjeshtë dhe prozaike” e sheh Goranin të vërtetën e kësaj situate.

“Kurti dhe qeveria e tij nuk ka as vizion e as propozim për zgjidhjen e kontestit politik me Serbinë”.

“Në fund, për shkak të paaftësisë, sikurse edhe qeveritë tjera gjatë viteve, edhe kjo do të detyrohet të ulë kokën dhe ta pranojë atë që i ofrohet – sikurse në farsën me targat”.

“Logjika politike e udhëheqjes sonë politike mbetet ajo e refuzimeve, jo e propozimeve. Sikurse Kurti, ashtu edhe Osmani e të tjerët po e shohin se me kundërshtime, konfrontime dhe ofendime edhe mund ta fitosh pushtetin, por jo edhe të qeverisësh. Mbase, të jesh grindavec sot shihet si virtyt e shkathtësi në politikën kosovare, porse në Bruksel e gjetiu nëpër botë kjo s’është tjetër veçse mungesë edukate dhe diturie”, përfundon Dukagjin Gorani./Reporteri.net/

<p>The post Gorani për dialogun Kosovë-Serbi: Kurti do të ulë kokën dhe të pranojë atë që i ofrohet, sikurse në farsën me targat first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,699FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles