12.2 C
New York
E martë, 6 Dhjetor, 2022

Buy now

Shqetësime mbi lirinë e medias në Kosovë, po e cenon edhe mungesa e transparencës së institucioneve

Një delegacion faktmbledhës i Platformës Evropiane për Sigurinë e Gazetarëve tha të mërkurën në Prishtinë se përparimi i arritur viteve të fundit në Kosovë në fushën e lirisë së shtypit është vënë në rrezik nga retorika nxitëse, fushatat njollosëse kundër medias dhe mungesa e transparencës nga institucionet.

Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Liri të Medias, tha se mungesa e sigurisë së gazetarëve dhe mosndëshkimi i autorëve të sulmeve ndaj tyre, mbeten sfidë për lirinë e shtypit në Kosovë.

“Ndonëse kërcënimet fizike janë të rralla, ka kërcënime serioze të cilat janë dokumentuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Proceset gjyqësore në rastet civile dhe penale të cilat përfshijnë gazetarët vazhdojnë të jenë të ngadalta dhe gazetarët kanë thënë se kanë shqetësime lidhur me mungesën e hetimeve për sulmet ndaj tyre”, tha ajo.

Ricardo Gutierrez, nga Federata e Gazetarëve të Evropës tha se pandëshkueshmëria nxit kryesit e krimeve ndaj gazetarëve.

“Kemi 40 raste të pandëshkuara për vrasjen apo zhdukjen e gazetarëve në Evropë dhe 14 prej tyre janë në Kosovë. Ky është një problem që ne vazhdimisht e kemi theksuar në takimet tona me autoritetet në Kosovë, duke u bërë thirrje atyre që të promovojnë edhe bashkëpunimin ndërkombëtar në ndjekje të autorëve të këtyre krimeve”, tha ai.

Përfaqësues të shoqatave të gazetarëve, pjesë e Platformës Evropiane për Sigurinë e Gazetarëve, vunë theksin te pengesat në punën e përditshme të gazetarëve si qasja në dokumente zyrtare.

“Përgjatë misionit tonë ne kemi kuptuar nga bisedat që kishim me gazetarë e redaktorë se dukuria e mungesës së transparencës është intensifikuar dhe është duke u përshkallëzuar. Disa gazetarë i përshkruajnë madje institucionet publike si të mbyllura kundrejt mediave dhe kjo sipas tyre po krijon një mjedis shumë të përqarë në skenën mediatike në Kosovë. Mendoj se është me rëndësi të jemi të vëmendshëm ndaj situate që shënon kthim prapa dhe ajo duhet të rregullohet nga qeveria e cila duhet të rivendosë standardin e transparencës duke përfshirë të drejtën për t’u informuar, dhe për të pasur qasje në të gjitha të dhënat e institucioneve publike”, tha Roberta Taveri, nga organizata ARTICLE 19.

Sipas të dhënave nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, që nga muaji shtator i vitit të kaluar e deri në shtator të këtij viti, në Kosovë janë paraqitur 101 ankesa për shkak të pamundësimit të qasjes në dokumente zyrtare në departamente të ndryshme të qeverisë së vendit.

Kosova renditet në vendin 61 nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit në Botë, ndërsa nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova ka vendin e dytë./VOA

<p>The post Shqetësime mbi lirinë e medias në Kosovë, po e cenon edhe mungesa e transparencës së institucioneve first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,597FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles