9.7 C
New York
E enjte, 8 Dhjetor, 2022

Buy now

Biden: Shqetësim i ligjshëm që votuesit të peshojnë çështjen e moshës si kriter për një kandidat

Presidenti Joe Biden tha me shaka se e ka të vështirë të pranojë se po i afrohet të 80-ve, por shtoi se është i aftë si fizikisht ashtu edhe mendërisht për të shërbyer për një mandat të dytë të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Biden, i cili mbush 80 vjeç më 20 nëntor, tha se është një shqetësim krejtësisht i ligjshëm ai që votuesit të pyesin nëse dikush në moshën e tij mund të përballojë punën me stres të lartë si president i vendit. Zoti Biden e bëri komentin gjatë një interviste për televizionin MSNBC që u transmetua të dielën, gjatë së cilës u pyet në lidhje me moshën e tij.

Ai tha se njerëzit duhet të gjykojnë vetë nëse ai është në lartësinë e detyrës. Komentet vijnë ndërsa sondazhet tregojnë se një pjesë e madhe e votuesve nuk do të donin të shihnin sërish një garë mes tij dhe republikanit Donald Trump, ndaj të cilit zoti Biden fitoi më 2020-n.

Në rast fitoreje, zoti Biden do të ishte 82 vjeç në ditën e inaugurimit në janar 2025 ndërsa zoti Trump 78 vjeç.

Një sondazh i fundit i ‘Associated Press’ dhe Qendrës Kërkimore për Çështje Publike ‘NORC’ tregon se vetëm 3 në 10 amerikanë, duan që zoti Biden ose zoti Trump të kandidojnë për president pas dy vitesh. Vetëm 5 në 10 demokratë duan që zoti Biden të rikandidojë për një mandat të dytë, ndërsa 6 në 10 republikanë shpresojnë të shohin zotin Trump të kandidojë përsëri për postin e presidentit.

“Mendoj se mënyra më e mirë për të gjykuar është të më shikosh çfarë bëj. A e kam ndalur ritmin apo vazhdoj njësoj?, tha zoti Biden në intervistën e regjistruar të premten, gjatë një vizite në kampusin e Universitetit Shtetëror të Dellauerit në mbështetje të urdhrin ekzekutiv për faljen e borxheve në kredi studentore.

Presidentin Biden ende nuk ka njoftuar zyrtarisht nëse do të kandidojë për një mandat të dytë, por ka thënë vazhdimisht se synimi i tij është të garojë për t’u rizgjedhur.

Gjatë fushatës së vitit 2020, zoti Biden shpesh paraqitej si një ‘kandidat tranzicion’, i cili do të ndërtonte një urë për të rinjtë e talentuar demokratë.

Mosha dhe shëndeti i zotit Biden si dhe zotit Trump, u trajtua gjatë garës për president, mbi fatin e së cilës vendosi një elektorat më i ri dhe më i larmishëm.

Në intervistën për MSNBC, zoti Biden tha se votuesit duhet të shohin pasionin e tij për punën ndërsa vlerësojnë çështjen e moshës së tij si faktor nëse duhet të votojnë për të ose jo.

Zoti Biden iu nënshtrua një serie analizash gjaku e ekzaminimesh fizike vitin e kaluar, pak para ditëlindjes së tij.

Dr. Kevin O’Connor, mjeku i presidentit Biden, shkruante në një dokument prej gjashtë faqesh lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, se zoti Biden ishte i shëndetshëm, energjik dhe i aftë për të realizuar me sukses detyrën e presidentit./VOA

<p>The post Biden: Shqetësim i ligjshëm që votuesit të peshojnë çështjen e moshës si kriter për një kandidat first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,601FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles