5.1 C
New York
E premte, 9 Dhjetor, 2022

Buy now

Valon Murati: Asociacion vetëm reciprok me Kosovën Lindore, ose ripërcaktim kufijsh

Autor: Xhezair Dashi 

“Jo njohje në qendër të dialogut, por reciprocitet”, thotë Kryetari i Lëvizjes për Bashkim dhe profesori universitar, Valon Murati, në një intervistë dhënë për gazetën online Reporteri.net.

Rrugëdaljen nga situata ku kërkohet imponueshëm themelimi i Asociacionit të dakordësuar më 2013, Murati e sheh në kërkesën për reciprocitet.

“Kjo do të nënkuptonte që çfarëdo që kërkohet nga Kosova për veriun e vendit, të zbatohet edhe për shqiptarët në Kosovën Lindore, përfshirë në këtë moment edhe asociacionin”, thotë ai.

Vetëm një pozicionim dhe kërkesë e tillë, sipas tij, do ta vendoste Kosovën në pozita të barabarta në dialog dhe në gjetjen e zgjidhjeve.

“Është vijë e hollë midis refuzimit të çfarëdo marrëveshjeje dhe etiketimit si ekstremist dhe pengues të stabilitetit dhe sigurisë rajonale, dhe të qenët konstruktiv edhe kur je kundër një propozimi, përmes kundër ofertave racionale”.

Në pozitën në të cilën jemi, Murati vlerëson se kryeministri Albin Kurti do t’i refuzojë zgjidhjet pa ofruar alternativa racionale.

Për Valon Muratin, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, siç thotë ai, “qoftë me kompetenca ekzekutive, qoftë pa to, qoftë në shpërputhje, qoftë në përputhje me kushtetutën është i dëmshëm për Kosovën”.

“Sepse në momentin kur grumbullohen në një mekanizëm dhjetë komuna serbe, e zgjedhin një kuvend, një kryetar e bord/qeveri të asociacionit, kombinuar kjo me privilegjet bllokuese që serbët kanë sipas Kushtetutës së Kosovës, ky mekanizëm do të fillojë natyrshëm të ushtrojë pushtet qoftë ekzekutiv, qoftë politik, qoftë moral në territorin në të cilin shtrihet”, tha kryetari i Lëvizjes për Bashkim në intervistën dhënë për Gazetën Online Reporteri.net.

“Tash llogarit edhe faktin se Lista Serbe dirigjohet direkt nga Beogradi, Serbia krijon edhe një mekanizëm shtesë për ta bërë Kosovën jofunksionale. Mos të harrojmë këtu gjendjen në veriun e vendit të cilit ky asociacion do t’i jepte tani më edhe një legjitimitet institucional”, vazhdon ai.

Për vite e vite, Kosovës do t’i shterreshin energjitë duke u marrë me këtë Asociacion, elaboron Kryetari i Lëvizjes për Bashkim.

Madje, Murati vlerëson se edhe po qe se i shtrohet Kosovës rruga për anëtarësim në OKB, ky Asociacion do të jetë aty për të krijuar ngecje të Kosovës në shumë fusha.

“Shumë shtete jofunksionale janë në OKB. Për të mos shkuar më larg sesa Bosnja dhe Hercegovina”.

Në dritën e kësaj, Valon Murati shprehet edhe për rikthimin e temës së ripërcaktimi të kufijve. Por, thotë ai, “nëse kjo nuk është oportune në këtë situatë, atëherë duhet të insistojmë në reciprocitetin në zgjidhjet në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Intervista e plotë me Valon Muratin:

Reporteri.net: Ditë e më shumë çështja e një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi po artikulohet në terma kohorë si domosdoshmëri për t’i paraprirë një epilogu të konfliktit në Ukrainë. Si i keni lexuar deklarimet e zotit Kurti që “s’janë as dy vjet kohë” dhe ato të zotit Vuçiç i cili thotë se i janë ofruar muaj, ose më pak, javë, për të arritur marrëveshje me Kosovën?

Murati: Nuk ka dyshim që ndryshimet gjeopolitike që mund të ndodhin për shkak të sulmit rus mbi Ukrainën kanë bërë që vendet perëndimore me në krye SHBA-të të bëjnë përpjekje për të zgjidhur problemet e mbetura në Ballkanin Perëndimor, e mbi të gjitha të zgjidhin raportin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Mundësia e destabilizimit të Kosovës, sidomos të veriut të saj për shkak të problemeve të pazgjidhura me Serbinë mbetet e lartë. Në anën tjetër, vetë Serbia, duke qenë me një këmbë me Rusinë dhe me tjetrën me Perëndimin, është vend me potencial destabilizimi.

Në këtë kontekst një Serbi që do të anonte nga Rusia, apo edhe e destabilizuar do të ishte një mekanizëm për ta trazuar Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, e po ashtu në rrethana të caktuara dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe atë që theksova, Kosovën përmes veriut të vendit.

Duke qenë kjo situatë, BE-ja, e sidomos Franca dhe Gjermania me përkrahjen edhe amerikane janë në një ofensivë për të një marrëveshje e cila së paku do të krijonte kushte për një siguri rajonale më të lartë.

Deklaratat sa i përket kohës, përveç që tregojnë presionin në të cilën gjendet te dy liderët, po besoj se janë edhe taktika për konsum të brendshëm në njërën anë. por edhe në raport me ndërkombëtarët në anën tjetër.

Përderisa kryeministri ynë, dëshiron të përçojë mesazh që marrëveshja nuk kryhet shpejt, dhe e shtyn afatin deri në vitin 2024, Vuçiqi, si një politikan që luan me dramaticitetin, dëshiron t’i ik presionit mu duke thënë se presioni kohor që të kryhet marrëveshja lidhet me javë.

Në këtë funksion dje në konferencën për shtyp, ai dërgoi mesazh të qartë, se nuk mund të ketë marrëveshje si çështje javësh, sepse Kosova duhet ta realizojë themelimin e Asociacionit, si një lloj i parakushtit për marrëveshje.

Reporteri: Nga propozimet që janë përfolur, më e fundit ajo franko-gjermane, parashihte jo-njohje direkte, por njëfarë zotimi për mospengim, dhe kjo përflitet të konkretizohet në një kornizë të mundshme të dialogut. A konsideroni se këto propozime mund të shërbejnë si platformë e negociatave, apo vetëm si pikënisje për krijimin e një platforme negociuese?

Murati: Ajo që është shqetësuese është që Kryeministri Kurti i cili ka ardhur në pushtet edhe duke u thirrur në transparencë dhe duke goditur qeveritë paraprake edhe sa i përket mungesës së transparencës në bisedimet me Serbinë, është kryeministri më jo transparent në këtë drejtim.

Unë e kam të qartë, se procesi i negociatave duhet të ketë edhe elementin e konfidencialitetit. Por ama, kur nuk ke një platformë të qartë, apo kur vendos objektiva të larta dhe vija të kuqe, ndërsa në opinion dalin projekte në kundërshtim me këto objektiva, për të cilat në fillim hesht, e më pas në mënyrë implicite i pranon, është obligim të sqarohet opinioni publik se për çfarë kornize të bisedimeve po flitet.

Kështu të gjithë flasin për një marrëveshje të mundshme, kemi një dokument që ka dal në opinion si propozimi franko-gjerman, që në një mënyrë u konfirmua edhe nga përfaqësuesi amerikan Gabriel Escobar, ndërsa qeveria jonë fare nuk e trajton se çfarë përmban kjo kornizë.

Mbi të gjitha, është shqetësuese, sepse nuk po e dimë çfarë realisht po na ofrohet, cili është pozicioni i qeverisë. Janë dy elemente problematike në këtë kornizë: themelimi i asociacionit si parakusht si dhe fakti se marrëveshja nuk përfshin njohjen.

Mos të harrojmë se formula për këto bisedime e kryeministrit Kurti ka qenë dhe është “njohja në qendër”.

Reporteri: Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, u kërkoi palëve që domosdoshmërisht dhe sa më parë, dialogu të konkludohet. Si e keni parë angazhimin e lartë amerikan, dhe a konsideroni se ShBA do të shtyjë para një zgjidhje përfundimtare?

Murati: Sigurisht angazhimi amerikan është i rëndësishëm jo vetëm për fatin e dialogut por edhe për fatin e sigurisë rajonale. Dhe ky angazhim nuk është i tanishëm, por është i përhershëm dhe është intensifikuar që nga letrat dhe angazhimet e ish presidentit Trump dhe tani presidentit Biden.

Siç e thashë më lartë, zhvillimet e fundit këtë angazhim e kanë bërë më dinamik. Tani unë e shoh një problem të madh tek qasja që politika jonë në përgjithësi e ka pasur në raport me dialogun.

Ne në vazhdimësi nuk e kemi parë dialogun si një mundësi për të zgjidhur problemet e mbetura me Sebinë, e mbi të gjitha problemin e Kosovës Lindore dhe të veriut të vendit, por e kemi trajtuar dialogun si një proces në të cilin jemi futur për hatër të aleatëve tanë.

Kështu me këtë qasje Kosova tash e sa vite nuk ka prodhuar opsione, por ka qenë ose refuzuese ose objekt i vetëm i dialogut.

Në të tilla rrethana, natyrshëm mund të vije një moment kur zgjidhje të caktuara mund të propozohen dhe të imponohen e të cilat jo domosdo janë të favorshme për Kosovën, por mund të shihen si modele të zgjidhjeve që garantojnë një siguri rajonale edhe për një kohë, sidomos në kontekstin e zhvillimeve të fundit në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

Reporteri: Palëve u kërkohen kompromise, derisa zoti Kurti shprehet se “kompromiset” janë shpenzuar në pakon e Ahtisaarit, dhe s’bëhet fjalë për koncesione tjera, derisa edhe vetë fjala kompromis është mëveshur vokalisht me konotacione të ndryshme negacioni. Gjithashtu Kurti thotë se “për njohjen nga Serbia s’japim gjë: as territor as funksionalitetin e shtetit”. Sa e konsideroni të qëndrueshme qëndrimin e zotit Kurti?

Murati: Qëndrimet e Kurtit janë të ditura. Tani ai është edhe kryeministër dhe bart përgjegjësi shtetërore dhe ka mbi supe edhe fatin tonë. Sidoqoftë për aq sa e njoh unë, duke qenë një politikan tipik popullist, i cili edhe zgjidhjet i sheh nga ajo perspektivë, ai do ta refuzojë marrëveshjen nëse ajo nënkupton zbatimin e asociacionit.

Po të ishte ky plani franko-gjerman që ka dal në opinion pa asociacionin ai edhe do ta nënshkruante, por me asociacionin si parakusht, unë besoj se si nuk do ta nënshkruaj. Dhe përderisa unë dhe LB-ja janë vërtet kundër implementimit të asociacionit, nuk e konsiderojmë të mjaftueshme të jesh kundër dhe pa opsion rezervë.

Kjo është e dëmshme për Kosovën, mbi të gjitha duke qenë se marrëveshjen për themelimin e asociacionit Kosova e ka nënshkruar dhe ratifikuar në vitin 2013. Mundësia dalëse në këtë situatë është të kërkohet reciprocitet.

Pra jo njohja në qendër të dialogut, por reciprociteti në qendër të dialogut. Kjo do të nënkuptonte që çfarëdo që kërkohet nga Kosova për veriun e vendit, të zbatohet edhe për shqiptarët në Kosovën Lindore, përfshirë në këtë moment edhe asociacionin.

Vetëm kështu edhe zgjidhja do të ishte më e drejtë, dhe do ta vendoste Kosovën në pozita të barabarta në dialog dhe zgjidhje. Është vijë e hollë midis refuzimit të çfarëdo marrëveshjeje dhe etiketimit si ekstremist dhe pengues të stabilitetit dhe sigurisë rajonale, dhe të qenët konstruktiv edhe kur je kundër një propozimi, përmes kundër ofertave racionale.

Kam frikë se në pozitën në të cilën jemi, në një moment të caktuar kryeministri Kurti do t’i refuzojë zgjidhjet pa ofruar alternativa racionale.

Reporteri: Serbia e konsideron “bërthamë” të Marrëveshjes së Brukselit çështjen e Asociacionit dhe e ka arsyetuar ndërkombëtarisht mungesën e progresit në dialog me mosformimin e kësaj bashkësie. Si e shihni të ardhmen e Asociacionit? A besoni se ajo do të bëhet, si autonomi e zgjeruar e serbëve brenda Kosovës, apo formimi i saj do të shtyhet indefinitivisht?

Murati: Asociacioni është kusht i Serbisë për të ecur para me marrëveshjen dhe një shpresë edhe nga ana e Vuçiqit për të mos pranuar këtë kornizën franko-gjermane, e cila pa asociacionin, me të gjitha problemet që i ka, është më e favorshme për Kosovën sesa për Serbinë.

Tash sa i përket asociacionit, ka një problem të thellë këtu. Asociacioni qoftë me kompetenca ekzekutive, qoftë pa to, qoftë në shpërputhje, qoftë në përputhje me kushtetutën është i dëmshëm për Kosovën.

Pse? Sepse në momentin kur grumbullohen në një mekanizëm dhjetë komuna serbe, e zgjedhin një kuvend, një kryetar e bord/qeveri të asociacionit, kombinuar kjo me privilegjet bllokuese që serbët kanë sipas Kushtetutës së Kosovës, ky mekanizëm do të fillojë natyrshëm të ushtrojë pushtet qoftë ekzekutiv, qoftë politik, qoftë moral në territorin në të cilin shtrihet.

Tash llogarit edhe faktin se Lista Serbe dirigjohet direkt nga Beogradi, Serbia krijon edhe një mekanizëm shtesë për ta bërë Kosovën jofunksionale. Mos të harrojmë këtu gjendjen në veriun e vendit të cilit ky asociacion do t’i jepte tani më edhe një legjitimitet institucional.

Për më tepër ne do të na shkonin vite e vite duke u marrë me këtë asociacion, duke na shterë energjitë tona sa i përket zhvillimit, e duke ngecur në shumë fusha të jetës. E kjo do të jetë kështu madje edhe nëse në fund bëhemi pjesë e OKB-së. Shumë shtete jofunksionale janë në OKB.

Për të mos shkuar më larg sesa Bosnja dhe Hercegovina. Por siç e thashë nuk është e mjaftueshme refuzimi, sepse asociacioni është obligim i Kosovës. Ne do të duhej të ndryshojmë qasjen rreth bisedimeve dhe të jemi të gatshëm të hapim të gjitha letrat me ndërkombëtarët dhe Serbinë, përfshirë mbi të gjitha ripërcaktimin e kufijve.

Nëse kjo nuk është oportune në këtë situatë, atëherë duhet të insistojmë në reciprocitetin në zgjidhjet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Reporteri: Ju njiheni për qëndrimin pro ndërrimit territorial mes pjesës veriore të Kosovës të banuar me serbë me Luginën e Preshevës në Serbi të banuar me shqiptarë, si prelud të një bashkimi të mundshëm Kosovë-Shqipëri. Si e shihni një vizion të tillë të realizueshëm.

Murati: Realisht i shoh goxha të pamundshme të funksionojnë zgjidhjet e tjera. Gjasat e refuzimit të marrëveshjes nga ana e dy palëve në këtë fazë është goxha e madhe. Siç e thashë nëse kjo përmban asociacionin, e që është e qartë se e përmban si parakusht, atëherë kryeministri Kurti e refuzon.

Në anën tjetër edhe nëse pranohet në një situatë hipotetike, zbatimi i asociacionit dhe mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë dhe shtyrja e saj për një kohë të mëvonshme (po flitet për dhjetë vite, të cilat janë të gjata e mundësi të ndikohen nga zhvillimet gjeopolitike globale), e bën opsionin e ripërcaktimit të kufijve si variantin më të mundshëm.

Madje, unë personalisht besoj se Serbia asnjëherë nuk do ta njeh Kosovën. Andaj ne duhet të fokusohem në gjetjen e zgjidhjeve që na bëjnë funksional si shtet. Me një projekt të tillë, ne do të mund të ndryshojmë pastaj edhe kushtetutën, t’i heqim pengesat dhe nëse ka vullnet politik edhe ta realizojmë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një projekt shtetëror.

Madje vetëm ky projekti i fundit i jep fund konfliktit shqiptaro-serb sepse përfundimisht i shuan apetitet serbe për Kosovën dhe vendos një baraspeshë të re gjeopolitike në Ballkan në mes të shqiptarëve dhe serbëve.

Reporteri: Në një të ardhme hipotetike kur kjo do të mund të ishte e realizueshme, çfarë të thuhet për serbët e Bosnjes ose Malit të Zi të cilët do të donin bashkimin me Serbinë, ose kroatët në Bosnje që do të donin bashkimin me Kroacinë?

Murati: Nuk është e imja të jap zgjidhje për të tjerët. Në këtë moment ne jemi në proces dialogu me Serbinë. Nëse realizohet ripërcaktimi i kufijve si produkt i një marrëveshjeje në mes të dy vendeve dhe me garancitë ndërkombëtare kjo nuk mund të shërbej si një precedent për të tjerët në planin negativ.

Nëse edhe vendet e tjera dhe popujt e tjerë dëshirojnë t’i zgjidhin problemet e tyre përmes këtij modeli pse duhet të brengosemi ne. Nëse varianti i ripërcaktimit shërben si model i mirë, le të shërbej./Reporteri.net/

<p>The post Valon Murati: Asociacion vetëm reciprok me Kosovën Lindore, ose ripërcaktim kufijsh first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>

Related Articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
3,598FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles

Generated by Feedzy